Powered By Blogger

Mire se erdhet :-)

Tuesday, February 16, 2010

“për ata që sjellin vajza të bukura, mund të bëjmë një përjashtim"

 Miremengjes miq,

Si u gdhite sot? Une jam gdhire me nje ndjenje sekelldie ne shpirt nga ajo batuta e shemtuar e kryeministrit Berluskoni mbi skafistet trafikante dhe "vajzat e bukura shqiptare" dhe jo vetem aq,  por sot  degjova qe kryeministri yne po e shfajesonte qe ajo ishte thjesht nje batute, nje shaka. Shaka me nje plage te tille te shoqerise shqiptare?A mund te quhet shaka dicka e tille? A mund te behet shaka me dicka te tille? Si mund te behet shaka me gjera te tilla? Valle keshtu do ta mirekuptonte kryeministri Berluskoni nje "shaka" drejtuar "vajzave te bukura italiane"? Ku eshte njerezilleku? Ku eshte qytetaria? Ku eshte etika? Ku eshte urtesia kryeministrore? Keshtu perfaqesohet shteti? Keta jane njerezit e mencur qe perfaqesojne kombet? MJERE njerezimi!!!!
Mbase jane shaka alla "kryeministrash" keto!!!

Shkrimi i meposhtem eshte i "qendisur" nga shkrimtarja e mrekullueshme shqiptare Elvira Dones. Jane te mirepritura komentet tuaja.

Edi Gogu

I nderuar zoti kryeministër,
Ju shkruaj nga një gazetë që ju nuk e lexoni, megjithatë disa fjalë do ua them, për shkak se të premten një batutë juaj e çastit ka prekur persona shumë të dashur për mua: “vajzat e bukura shqiptare”. Ndërsa kryeministri i vendit tim të origjinës, Sali Berisha, konfirmonte angazhimin e qeverisë së tij në luftë ndaj skafistëve, ju vutë në dukje se: “për ata që sjellin vajza të bukura, mund të bëjmë një përjashtim.”
Unë i kam takuar ato “vajza të bukura”, kam takuar dhjetëra prej tyre, ditën e natën, të fshehura nga tutorët e tyre, i kam ndjekur që nga Milano e deri në Siçili. Më kanë treguar fragmente nga jeta e tyre e dhunuar, mbytëse, e shkatërruar.
“Stelës” padronët i saj i kishin shkruar në stomak një fjalë: kurvë. Ishte një vajzë e bukur me një difekt: e grabitur në Shqipëri dhe e sjellë në Itali, ajo refuzonte që të dilte në rrugë.
Pas një muaji përdhunimesh kolektive nga tutorët shqiptarë dhe ortakët italianë, ajo u nënshtrua.
Doli rrugëve të Piemontes, Lacios, Ligurias, e kush e di në sa të tjera.
E vetëm atëherë- tre vjet më vonë- iu gdhend mbi stomak zanati i saj: kështu, për lojë ose për tekë.
Njëherë e një kohë ishte një vajzë e bukur, po. Sot është vetëm një mbeturinë e shoqërisë, nuk do dashurohet kurrë, nuk do bëhet kurrë nëne e gjyshe. Ajo “kurvë” mbi stomak i ka fshirë çdo shenjë shprese e besimi tek burrat, masakra e klientëve dhe tutorëve i ka shkatërruar mitrën.
Për “vajzat e bukura” kam shkruar dhe një roman, publikuar në Itali me titullin “Diell përvëlues”. Vite më vonë kam xhiruar një dokumentar për një televizion zvicerian: shkova në kërkim të një tjetër vajze të bukur, quhej Brunilda, babai i saj më ishte lutur në lot që të hetoja për të. Ishte një baba si shumë baballarë të tjerë shqiptarë, të cilëve u janë zhdukur vajzat, të rrëmbyera, gjymtuara, shpesh të varura me kokë poshtë e të kërcënuara nëse do rebelohen. Ishte një baba si ju zoti President, por me më pak fat. Dhe sot e kësaj dite babai i Brunildës nuk e pranon se e bija ka vdekur, e mbytur në det, ose e ekzekutuar në një qoshe të periferive. Ai vazhdon të shpresojë, ëndërrojë për një mrekulli.
Është një histori e gjatë zoti President… Por nëse do kisha vëmendjen tuaj, do u dërgoja një kopje të librit tim, ose do u dërgoja dokumentarin, ose me shumë dëshirë do këmbeja dy fjalë me ju. Po ju këshilloj zoti President: batutave u përgjigjem, nuk gëlltitem në heshtje.
Në emër të çdo Stele, Bianke, Brunilde e familjeve të tyre, detyrohem këto rreshta.
Në këto 20 vite tranzicion të vështirë Shqipëria ka vuajtur shumë e ka hapur shumë plagë me duart e saj, por tek populli shqiptar rritet akoma dëshira për të ecur më në fund me kokën lart.
Shqipëria nuk ka më durim e as mirëkuptim për të tilla poshtërime falas.
Besoj se ju nuk do i konsideroni më dramat njerëzore si një material për batuta lokalesh apo orësh të vona, nuk keni asgjë për të fituar.


* Elvira Dones, shkrimtare e gazetare shqiptare replikon me batutën e Berluskonit

No comments:

Post a Comment