Powered By Blogger

Mire se erdhet :-)

Friday, June 27, 2014

Një letër (rrëfim) për nënat



Nënë me një, dy, tri apo nëntëmbëdhjetë fëmijë si Zonja Duggar në Amerikë, nënë shtëpiake apo nënë që del në punë jashtë shtëpisë, nënë vejushë apo e divorcuar, nënë me shëndet të plotë apo nënë e sëmurë, që nga fillimi
dhe deri në fund të ditës, Ty të duhet të jesh nënë.

Askush nuk e kupton që ti je e rraskapitur dhe dëshiron tridhjetë minuta pushim, jo jo joooo, nëse vogëlushi qan, hajde çohu mos përto se vetëm puthja jote do ta qetësojë.

Më qeshet me ty që mezi qëndron në cep të shtratit, pasi vendin tënd në krevatin e madh e ka zënë vogëlushja kaçurreleartë të cilën e zgjoi një ëndërr e keqe dhe ti e fute brenda krahëve të dashur prej nëne duke ja ngrohur këmbkat e mardhura mes të tuave.

Sa "vdes" nga kënaqësia kur shoh sesi nënat si shqiponja i mbërthejnë të vegjëlit e tyre me krahë të fortë (unë e kam më të lehtë kur e mbaj të voglin mbi ije se më këput fare 😊) dhe çajnë ngado, që nga zyrat e postës për të shlyer detyrimet mujore e deri tek tregu i perimeve, ku  ngarkohen deri ne ate pike sa shenja që ju lë çanta e varur në shpatulla, do një javē qē të zhduket.

Po vrapi për tu kthyer nga i vetmi kënd lojrash i hapur, për në shtëpi se mos është djegur tava me pulë e patate në furrë që gjoja e gradove me 75 gradë?

Po atë ditë me diell që dole për piknik dhe çanta jote peshonte 1 ton pasi ti kishe ngjeshur brenda saj tri batanije se mbase njëra mund të lagej e do ftoheshin fëmijët, një termus me çaj për mamat' e një termus me lëng të freskët për fëmijët, biskota, fruta, libra, lapsa me ngjyra e plot lodra. Të vinte turp kur anoje nga pesha djathtas, por ama gëzoje se fëmijët u kënaqën në ajër të pastër.

Po kur të duhet të bësh një bisedë prej të rriturish me shoqen beqare që të ka ardhur për vizitë, ndërsa përpiqesh që të luash me vogëlushen tënde që si për inat e gjen të derdhë bojërat mbi tapet e i ngjesh me këmbkat e vogla?

Moj e mira nënë me drekën që vlon mbi sobë, ndërsa luan "shpirash" me fëmijët e tu dhe mendja të fluturon tek shlyerja e këstit të kredisë. Ti buzëqesh me vështrimin përtej bishtalecave që përfundojnë me dredhka.

Jam unë e vetmja apo edhe ti nëna tjetër ke shkuar në një darkë serioze me vëthët prej argjendi të kombinuar me byzylykun prej brumi të tharë e të ngjyrosur?

Sa qesha atë ditë kur pashë që mbi tryezën e punës mbaje me krenari një mace prej plasteline e nje qen pellushi, paçka se shumë të tjerë të zyrës tënde bëjnë shpoti për to.

Në makinën tënde ka vend edhe për xhaketën e kostumit të punës edhe për atletet me balte pas nje dite plot aktivitete sportive.

Ndoshta shumë nuk e kuptojnë se cfarë rëndêsie ka, por vetëm një mami kur shtron tavolinën për familjen nuk harron t'ja japë gotën me sirenën Ariel, Princeshës dhe atë me Uinin, Princit tre vjeçar.

Ndersa nje dite unë vetë harrova fare qe i kisha lidhur flokët me lecka për ca kaçurrela "kopjace" si Xhein Ostin dhe që mbaja nje ngjitese  të një makine Ferrari mu në mes të ballot dhe ashtu i hapa derën postierit, i cili më shihte me dyshim, ndoshta duke dyshuar mbi shëndetin tim mendor.
Doja ti shpjegoja që unë jam një mami, por e pashë të udhës mos ta merrja fare mundimin.

Vetëm një nënë mund të të përcaktojë pa gabuar nëse teshtima jashtë në oborr, është pararendëse e një viroze apo e një alergjie.

Ti nënë je vërtet fantastike pasi mban mend batutat e preferuara te çdo filmi vizatimor dhe i njeh të gjthë "heronjtë" e çdonjërit prej fëmijëve te tu.

Të kam parë tek ngrihesh nga kolltuku ku shpresoje të "mblidhje pak kockat" nga lodhja e pagjumësia, e rrëmben shpatën për të dueluar me djalin tënd i cili të ka "Xhuljetën" e zemrës së vet.

Ti je një "Xhuljetë" e rrallë që do ta jepte jetën për secilin nga princat e saj të vegjel, të gjatë jo më tepër sesa shpatëza që mbajnë ndër doçka.


Më duket se sekretin tënd tashmë e dinë të gjithë, pasi ti rregullon gjithë rremujën e mundshme pasi të gjithë i ka zënë gjumi dhe i mirëpret të gjithë me petulla të ngrohta që lëshojnë një aromë dehëse. Të zbuluan. E dinë që ti je duarartë.

Askush nuk ta tha ty nënë, që një ditë do të vishje tutat apo bluzat sportive të vogëlushëve të tu. Po ta them me krenari, petullat e tua e paskan dhënë efektin😉

Fëmijëve ju pëlqen shumë kur qesh dhe mërziten kur të shohin të lotosh dhe atëherë i premtojnë vetes së tyre nën zë, se nuk dua kurrësesi të të shkaktojnë dhimbje.

Ti bën pothuajse çdo ditë të njëjtat gjera, disa janë punë tejet të rëndomta, por askush nuk arrin ta kuptojë sesi ti i merr çdo dite gjëra të bukura, buzëqeshje, ëndërra, kujtime.

Askush nuk e di sa herët ngrihesh ti që të bësh gati mëngjesin, fëmijët gati per kopësht, çerdhe, shkollë, për të rregulluar flokët që nuk kishe kohë ti thaje, se byreku i drekës duhej përfunduar, para se ti të dilje me fëmijët përdore e të shkoje në punê.

Po kur sëmuresh dhe nuk shtrihesh dot që të pushosh, se janë edhe fëmijët paqejf, të duhet të dorëzosh provimet e nxënësve të korrigjuara dhe ajo që të shtyn përpara është fakti që Zoti do të të japë fuqi ta kalosh edhe këtë situatë.

Koleget e tua qeshin me ty, që mban ne dorë një byzylyk me rruaza fëmijesh. Ato se kuptojnë dot se çfarë vlere marrin gjërat kur je bërë nënë.

Po kur sytë e "beqareve" ngecen mbi barkun tënd (një masë më tepër pas lindjes së bebit) dhe ti çuditesh me habinë e tyre e ju thua "çfarë mrekullie ka bërë Zoti me mënyrën sesi e end një bebush në të përbrendëshmet e trupit të një nëne".

Të qahet nga dhimbja, të vret vetmia, të vdes pabesia, të merr malli për një "shëtitje ne tualet" vetëm, të vjen të ulërasësh nga nervat, por në prani të fëmijëve të duhet ta heqësh vëmendjen nga vetja e t'ua përkushtosh atyre.

Ditë dhe natë zemra dhe goja jote, pëshpërit lutje për fëmijët e tu dhe në momentet me të errëta të mëmësisë, Fjala e Tij, është e vetmja dritë që të udhëheq.

Merr zemër sot, e mira nënë! 

Mos vajto mbi kohën e shkuar!

Shijo fëmijët që rriten, shkollohen, martohen dhe lutju Zotit pêr çdo ditë të jetës së tyre!

Mbaji sytë tek Ati, tek Ai që ti besoi fëmijët e Tij për tu kujdesur përkohësisht! Ai është shembulli i përsosur i prindërimit.

I jam mirënjohëse Zotit tim,  për gjithësecilën prej jush.

Me dashuri,
Edi Gogu